Politikë
Retorika e rrezikshme e Beogradit: Si po shfrytëzohet Kosova në fushatën zgjedhore në Serbi
Reklamë e Sponsorizuar
Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, Kosova është rikthyer edhe një herë në epiqendër të narrativës nacionaliste të udhëheqësisë në Beograd. Kjo po ndodh përmes deklaratave të ndezura, pretendimeve territoriale dhe mesazheve të ndryshme që synojnë të minojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Këto zhvillime shqetësuese vijnë pas thirrjeve provokuese për ngritjen e flamurit serb në Prizren, si dhe pas shfaqjes publike në një tubim elektoral të Milan Radoiçiqit, i cili konsideroidhet si kryekriminel dhe është i përfshirë direkt në sulmin terrorist të ndodhur në Banjskë.
Ky skenar dëshmon se politika serbe nuk ka hequr dorë nga praktika e saj e vjetër e përdorimit të çështjes së Kosovës si mjet për të nxitur ndjenjat nacionaliste, për të grumbulluar vota dhe për të hequr vëmendjen e opinionit publik nga krizat dhe sfidat e brendshme politike në vend.
Përtej llogarive elektorale, këto qëndrime nxisin dilema të thella rreth synimeve të mirëfillta politike dhe të sigurisë që fshihen prapa tyre. Ekspertët e fushës shtrojnë pyetjen nëse bëhet fjalë vetëm për një strategji kalimtare elektorale, apo Serbia po shfaq hapur ambiciet e saj të pandërprera territoriale ndaj shtetit tonë.
Sipas ekspertëve të sigurisë, rreziku më i madh nuk kufizohet vetëm te fjalët e politikanëve, por te mundësia reale që kjo retorikë nxitëse të shoqërohet në terren me veprime konkrete destabilizuese, fushata dezinformimi dhe provokime të reja.
Në një situatë të tillë, vëmendja zhvendoset edhe te përgjigjja institucionale e Prishtinës zyrtare, si dhe te nevoja që bashkësia ndërkombëtare të ndjekë një qasje shumë më të rreptë dhe të prerë ndaj qasjes luftarake të Beogradit.
Lidhur me këtë situatë, eksperti i sigurisë Arben Dashevci vlerëson se instrumentizimi i Kosovës gjatë proceseve zgjedhore në Serbi mbetet një strategji e përhershme e pushtetit atje, e cila shfrytëzohet sa herë që ka nevojë për mobilizim masiv të elektoratit.
Sipas vlerësimit të tij, tema e Kosovës ngrihet në pah jo vetëm gjatë fushatave zgjedhore, por edhe në momente protestash apo trazirash të brendshme sociale në Serbi.
“Në prag të çdo palë zgjedhjesh parlamentare në Serbi, ose në çdo protestë atje, Kosova përdoret gjithmonë si instrument në fushatën politike të Beogradit, për fitim votash, zhvendosje të vëmendjes apo edhe për çfarëdo qëllimi tjetër të tyre. Përmes deklaratave provokuese dhe mesazheve nacionaliste sulmohet Republika e Kosovës, por edhe rajoni i Ballkanit”, ka deklaruar Dashevci.
Ai i ka quajtur plotësisht absurde dhe të kota pretendimet për vendosjen e simboleve shtetërore serbe në qytetin e Prizrenit, ndërsa praninë e Milan Radoiçiqit në tubimet elektorale e ka cilësuar si një provokim të papranueshëm ndaj shtetit të Kosovës.
“Premtimet që janë të kota, kinse për vendosjen e flamurit serb në Prizren, dhe shfaqja e kryekriminelit Milan Radoiçiq në një tubim elektoral kanë nxitur reagime gjithandej dhe kanë rikthyer në vëmendje qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës”, është shprehur ai.
Duke ritheksuar se Kosova është një shtet i pavarur, sovran dhe i konsoliduar, Dashevci thekson se këto mesazhe dëshmojnë qartë se ambiciet territoriale të Serbisë vazhdojnë të mbeten të gjalla.
“Dihet se Republika e Kosovës ka flamurin e saj, i respekton edhe flamujt e komuniteteve, por mesazhi i tyre qëndron te pretendimet territoriale. Kosova është e pavarur dhe sovrane, është në vigjilencë maksimale, mendoj unë, dhe përgjigjet seriozisht kundrejt çdokujt që ka çfarëdo lloj pretendimi”, ka përfunduar eksperti i sigurisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: