Sport
Agim Ademi zbulon prapaskenat e Kombëtares: Synimet për vendin e dytë, risitë në skuadër dhe sfidat e kalendarit
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka analizuar ecurinë e fundit të Kombëtares dardane, duke u ndalur te faza e tranzicionit të gjeneratave, afrimet e reja që priten në skuadër, largimet, si dhe bashkëpunimi e raportet me Shqipërinë.
Gjatë një prononcimi, kreu i shtëpisë së futbollit kosovar pranoi se nuk ndihet plotësisht i lumtur me pikët e grumbulluara në ndeshjet e fundit, duke theksuar se ekipi kishte potencial për më shumë, megjithatë mbetet optimist se përfaqësuesja do të luftojë fort për të siguruar vendin e dytë në grup.
Duke analizuar ngarkesën fizike dhe kalendarin e ngjeshur me katër ndeshje brenda një kohe të shkurtër, Ademi e cilësoi këtë ritëm si një sprovë të rëndë jo vetëm për Kosovën, por për çdo kombëtare në rruzullin tokësor.
“Tani, puna e katër ndeshjeve të kombëtares ka qenë një intensitet të lartë. Edhe katër ndeshje të luhen për kaq pak ditë, është pak shumë për futbollistët, edhe për të gjitha kombëtaret, jo vetëm për neve që jemi kombëtare e vogël. Edhe për organizimin përmes federatës dhe të gjitha, është një sfidë e madhe dhe është dashur të kemi më shumë lojtarë. Kur ke intensitet është kaq i shpeshtë, mund të them që nuk jam i kënaqur me rezultatet, por nuk është që kemi dështuar në këtë rast. Mund të them që jemi në garë, jemi mirë. Krahas kualitetit që e kemi, kemi mundur të kemi fitore dhe të bëjmë një hap pak më të mirë. Gjithsesi, shpresoj dhe besoj që do të jemi në pozitën e dytë, sepse pozitën e parë e kemi të vështirë, ose mund të them që ndoshta është i paarritshëm në këtë rast, por prapë varet prej ekipeve,” u shpreh Ademi.
Sa i përket ndërrimit të brezave, numri një i FFK-së u shpreh i kënaqur me mënyrën se afrimi i talenteve të rinj po integrohet në skuadër, duke vënë njoft se ky proces shpesh krijon tronditje edhe te kombëtaret e mëdha evropiane, të cilat kalojnë përmes pasigurisë derisa të gjejnë ekuilibrin e duhur.
“Ndërrimi i gjeneratës vërehet edhe te kombëtaret më të mëdha që ka sjellë pak lëvizje ose pasiguri derisa të koordinohet ose konsolidohet ekipit. Te ne, ndërrimi i gjeneratës po bëhet dhe, të them të drejtën, jam i lumtur dhe mendoj se po bëhet me jo shumë luhatje dhe ndoshta kjo ka ndodhur sepse kemi pasur vazhdimisht diçka të re,” theksoi ai.
Në rrafshin e përforcimeve të mundshme, Ademi konfirmoi se federata është në tratativa e sipër me tre deri në katër lojtarë që mund t'i bashkohen ngjyrave dardane. Ai sqaroi se roli i FFK-së kufizohet te pjesa administrative dhe arritja e marrëveshjeve, ndërsa fjalën e fundit për përzgjedhjen e tyre në fushë e mban ekskluzivisht shtabi teknik.
“Tani, kemi disa futbollistë me të cilët jemi në bisedime. Sigurisht që mund të jenë anëtarë të Kosovës, por ne e kryejmë vetëm atë pjesë që lidhet me organizimin dhe marrëveshjet me lojtarët apo me njerëzit që merren me këtë punë. Në fund vendos trajneri, sepse ne ia ofrojmë trajnerit dhe shtabit tonë dhe ata vendosin. Fjalën e fundit e kanë ata, ata cilët bisedojnë për anën profesionale, nëse lojtari do të luajë, nëse i duhet tani dhe nëse mund të luajë në këtë tani. Neve na intereson t’i mbyllim marrëveshjet dhe që lojtari të pranojë të luajë për Kosovën. Pastaj, në fushë është diçka tjetër. Sigurisht që jemi të interesuar. Ju e dini se tashmë i kemi disa futbollistë te Bayerni, jo vetëm Erblinin, por edhe disa të rinj të tjerë.”
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: