Politikë
Hapi i madh për shëndetësinë: Pacientët me sklerozë multiple do ta marrin terapinë më afër shtëpisë
Reklamë e Sponsorizuar
Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar protokollet e reja për shpërndarjen e terapisë për sklerozën multiple. Ngjarja u zhvillua në prani të drejtorëve të Klinikës Universitare të Neurologjisë, Spitalit Special për Ortopedi dhe Traumatologji „Shën Erazmo“ – Ohër, Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit „8 Shtatori“ – Shkup dhe Spitalit Klinik të Shtipit.
Sipas të dhënave të paraqitura nga institucionet shëndetësore, në Klinikën e Neurologjisë ndiqen afërsisht 2.000 pacientë që vuajnë nga kjo sëmundje, ku 1.800 prej tyre janë në trajtim aktiv. Shifrat tregojnë gjithashtu se numri i rasteve të reja është në rritje të vazhdueshme, duke regjistruar 115 pacientë të rinj vetëm gjatë vitit 2025.
„Aktualisht, 835 pacientë nga 48 komuna trajtohen me barna imunomoduluese të përfshira në procesin e dispenzimit dhe të gjithë e marrin ose e tërheqin terapinë në Klinikën në Shkup. Prej tyre, 491 jetojnë jashtë rajonit të Shkupit dhe shumë prej tyre udhëtojnë çdo muaj, shpesh të shoqëruar nga një person tjetër. Kjo nënkupton shpenzime, mungesë nga puna dhe ngarkesë shtesë për personat që vuajnë nga një sëmundje kronike“, u bë e ditur gjatë takimit.
Ministri i Shëndetësisë, Klekovski, theksoi se decentralizimi i shërbimeve synon t'u vijë në ndihmë qytetarëve pa e mbingarkuar Klinikën. Ai shtoi se buxheti i destinuar për barnat e sklerozës multiple ka arritur në një shifër rekord prej 451 milionë denarësh për këtë vit.
„Ky është një model. Ai paraqet lehtësim për pacientët, të cilët do ta marrin terapinë më afër vendbanimit të tyre, por edhe një mundësi për avancimin e punës së profesionistëve shëndetësorë në spitalet rajonale, kompetencat e të cilëve zgjerohen. Natyrisht, ky është një model edhe për fusha të tjera, siç është onkologjia“, deklaroi ministri Klekovski.
Nga ana e tij, drejtori i Klinikës Universitare të Neurologjisë, Jovan Bozhinovski, vuri në dukje se ky hap vjen si plotësim i kërkesave të kamotshme të Shoqatës për Luftën Kundër Sklerozës Multiple.
„Rregullorja përcakton barnat, kompetencat, kushtet për qendrat dhe procedurën, ndërsa përmes protokollit secili spital merr përsipër veçmas detyrimet që i takojnë. Spitalet obligohen të caktojnë një neurolog përgjegjës, një farmacist dhe infermierë të trajnuar, t’i ruajnë dhe t’i lëshojnë barnat sipas regjimit të përcaktuar, të evidentojnë çdo dozë dhe të raportojnë reaksionet e padëshiruara brenda 24 orëve“, u shpreh Bozhinovski.
Sipas tij, Klinika do të ruajë rolin e saj kyç në aspektin profesional, financiar dhe organizativ, duke u kujdesur për furnizimin e barnave, marrjen e vendimeve përmes Komisionit për Terapinë Imunomoduluese, faturimin në Fondin e Sigurimit Shëndetësor dhe mbikëqyrjen e qendrave rajonale të paktën një herë në vit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: