Gashi: Raporti i "Reporterëve pa kufij", alarm - Ligji për KPM-në arsye kryesore

Publikuar më: 08-05-2025 18:47
Kryeredaktori i medias “Kallxo”, Kreshnik Gashi, ka thënë se raporti i “Reporterëve pa kufij” lidhur me lirinë e medias në Kosovë, është alarm për vendin. Sipas tij, ligji për KPM-në është një ndër arsyet kryesore për keqësimin e situatës së mediave dhe lirisë së mediave në Kosovë. “Raporti është një alarm për vendin tonë dhe të dhënat që janë në raport na tregojnë për një keqësim sistematik të situatës së mediave dhe lirisë së mediave në vendin tonë, ndërsa arsyet pse ka ndodh janë disa prej tyre. Raporti është bërë duke e marrë një vlerësim të profesionistëve që punojnë në media dhe që e kryejnë një vlerësim të pavarur dhe disa prej arsyeve që unë mendoj se i kanë shtyrë njerëzit të bëjnë vlerësim të tillë lidhen me ato se çfarë kanë ndodhur në vendin tonë në vitet e fundit. Disa nga faktorët që unë mendoj se janë shumë të rëndësishëm për t’i kuptuar, ne duhet të kthehemi një vit prapa për të kuptuar se pse jemi në këtë gjendje. E para lidhet me Ligjin e KPM-së. Nëse e krahasojmë me rajonin, qeveritë e rajonit nuk e kanë pasur asnjë tentativë për të ndërtuar një ligj të KPM-së i cili është antikushtetues, dhe ligji momental ka dalë antikushtetues”, ka thënë ai. Gashi e ka përmendur “tentativën e qeverisë për ndikim” në Radio Televizionin e Kosovës si shembull që ka ndikuar në këtë raport. “Kemi pasur një drejtor të RTK-së që është dorëhequr në vitin e kaluar me pretekstin që kryeministri e ka ftuar në zyrën e tij dhe i ka thënë ose të japë dorëheqje, ose të vazhdojë në mënyrën se si ai dëshiron të shkojë. Nëse një drejtor i një transmetuesi publik ftohet në zyrën e kryeministrit, kjo tregon tentativë dhe ndikim të skajshëm në transmetuesin publik. Pastaj kemi ngjarjet për politizimet dhe shkarkimet në Bordin e RTK-së. Kjo na tregon një tentativë serioze e qeverisë për të ndikuar në televizionin publik”, është shprehur ai.
Shpërndaje këtë lajm:
Facebook WhatsApp Twitter
🔙 Kthehu