Sport
Spektakël në Wembley: Spanja përmbys Anglinë, Kane gabon nga pika e bardhë
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësuesja e Spanjës ka regjistruar një fitore spektakolare me përmbysje 3:2 kundër Anglisë në stadiumin “Wembley” të Londrës, në sfidën e vlefshme për xhiron hapëse të Grupit 3 të Ligës A në Ligën e Kombeve.
Dueli nisi vrullshëm dhe pa kaluar dy minuta lojë, një gabim i rëndë në prapavijën angleze i lejoi Lamine Yamalit të tregojë gjakftohtësi nga afërsia dhe të zhbllokojë shifrat, duke kaluar spanjollët në epërsi 0:1.
Reagimi i vendasve erdhi në minutën e 36-të. Jude Bellingham lëshoi një pasim të gjatë drejt Anthony Gordon, i cili u fut në zonë dhe lëshoi një goditje të telekomanduar në këndin e poshtëm të majtë, duke mos i lënë asnjë shans portierit për të barazuar në 1:1.
Formacioni anglez nuk u ndal me kaq dhe në minutën e 40-të kaloi në avantazh. Nico O'Reilly dërgoi një harkim perfekt në zonë, ku Harry Kane fitoi dyluftimin ajror me mbrojtësin kundërshtar dhe me kokë përmbysi rezultatin në 2:1.
Fraksioni i dytë solli dramë të madhe kur, në minutën e 54-të, Harry Kane pati mundësinë ideale për të thelluar epërsinë nga penalltia, por gjuajtja e tij e fuqishme u ndal vetëm nga traversa.
Ndëshkimi për këtë gabim nuk vonoi. Në minutën e 60-të, Dani Olmo shërbeu bukur për Alex Baena në hyrje të zonës, i cili me një goditje të fortë e të saktë në këndin e poshtëm të majtë vendosi baraspeshën 2:2.
Kur ballafaqimi po i afrohej fundit, konkretisht në minutën e 74-të, Spanja vulosi triumfin e madh. Mikel Oyarzabal përfitoj nga një pasim brenda zonës dhe me një goditje lobuese mposhti portierin James Trafford, i cili kishte dalë nga porta, duke fiksuar rezultatin përfundimtar 2:3.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: