Aktuale
Këmbanë alarmi në Has: Mungesa e sinjalistikës dhe trotuareve rrezikon jetën e nxënësve
Reklamë e Sponsorizuar
Siguria e nxënësve dhe e stafit mësimor në disa institucione arsimore të rajonit të Hasit në Prizren po përballet me rreziqe serioze për shkak të mungesës së infrastrukturës elementare rrugore, siç janë trotuaret dhe sinjalistika. Banorët e zonës ngrenë alokimin se automjetet lëvizin me shpejtësi të lartë pranë oborreve shkollore, ndërkohë që në shumë raste komuniteti është detyruar të ndërhyjë vetë për të shmangur fatkeqësitë.
Në fshatin Bregdri, prindërit theksojnë se problemi i mungesës së trotuarit është i mbartur ndër vite, ndërsa thirrjet e tyre të vazhdueshme për gjetjen e një zgjidhjeje institucionale kanë mbetur pa përgjigje.
Banori vendor Fatbardh Qollaku bën të ditur se është kërkuar zyrtarisht angazhimi i Komunës së Prizrenit për ndërtimin e trotuarit, por sipas tij, nisma nuk ka gjetur kurrë zbatim praktik.
“Këtë problem e kemi qysh moti, çështjen e trotuarit. Kemi bërë kërkesë ndër fshatrat e para të Hasit për me e realizu këtë projekt, por nuk u bë asnjëherë. Do të thotë, Komuna e Prizrenit e ka përfundu deri në fshat Krajk. Na janë rreziku fëmijët, kemi pasur shumë raste. Vetëm vitin e kaluar, aty ku e kam shtëpinë unë, ka pasur katër aksidente”, ka deklaruar Qollaku.
Sipas banorëve, situata bëhet edhe më kritike gjatë kohës me reshje shiu, periudhë në të cilën lëvizja e këmbësorëve në këtë akse rrugore shndërrohet në një rrezik potencial për jetën.
Kreshnik Qollaku, prind i tre fëmijëve që vijojnë mësimin, shpreh zhgënjimin e tij ndaj përgjegjësisë institucionale, duke treguar se familjet detyrohen t’i transportojnë fëmijët me makina për shkak të mungesës së kushteve për të ecur të sigurt në këmbë.
“Jemi paksa të lodhur me shtetin apo komunën, thuaj si të duash, sepse s’kemi kujt me ia lënë fajin. Faji hidhet herë andej e herë këndej. Zakonisht është problem me trotuar, edhe i biem edhe i marrim fëmijët me makina. Sidomos kur ka shi, është shumë rrezik”, ka thënë ai.
Sfidat me sigurinë rrugore janë të pranishme edhe në afërsi të shkollës “Mit’hat Frashëri” në Krajk, një institucion ku arsimohen fëmijë që nga mosha trevjeçare e deri në klasën e nëntë.
Drejtori i kësaj shkolle, Hemë Çoçaj, shpjegon se i është drejtuar vazhdimisht autoriteteve për ndërtimin e një nënkalimi ose mbikalimi, duke marrë parasysh se objekti shkollor gjendet buzë një rruge kryesore që lidh Krajkun me pjesët e tjera të Hasit.
“Ne kemi kërkuar vazhdimisht edhe nga Drejtoria e Arsimit edhe Kuvendi Komunal që të ketë një nënkalim apo mbikalim, për shkak se nxënësit rrezikohen, sepse është rrugë kryesore, Krajkun dhe gjithë Hasin e lidh, kjo nuk është bërë”, ka theksuar Çoçaj.
Banorët vënë inatin e tyre në dukje edhe për mungesën e shenjave orientuese në rrugët që janë shtruar ekskluzivisht nga kontributet vetjake të komunitetit.
Kryetarja e katër fshatrave, Marte Prekpalaj, bën me dije se banorët e Hasit kanë grumbulluar mbi 670 mijë euro për ndërtimin e rrugës, ndërsa tani kërkojnë nga autoritetet që ajo të bëhet e sigurt për gjeneratat e reja.
“Mbi 670 mijë euro i kemi mbledhur ne hasjanët dhe e kemi shtruar këtë rrugë vetë, por nuk e kemi shtruar këtë rrugë me na i mbyt fëmijët. Tash shihni, as nuk ka sinjalizim, shenjat e shkollës, vijat e bardha janë shlyer. Dy pengesa i kanë bërë fshatarët, ju tregojmë sa u kanë kushtuar”, ka shtuar ajo.
Në anën tjetër, nga Komuna e Prizrenit bëjnë të ditur se vendosja e shenjave të qarkullimit pranë objekteve shkollore po zhvillohet sipas një plani me faza.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Islam Ukimeri, ka njoftuar se fillimisht po ndërhyhet në shkollat e zonës urbane të Prizrenit, për t'u shtrirë më pas edhe në vendbanimet rurale.
“Jemi duke punuar në shkollat në qytetin e Prizrenit. Në të gjitha shkollat jemi duke vendosur shënjimin vertikal dhe horizontal. Në momentin që do të përfundojë në qytet, do të vazhdojë edhe në fshatra. Do të vendosen të gjitha shënjimet në afërsi të shkollave, në të gjitha rrugët ku është nevoja”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: