Sport
Nga Ballkani te “Demat e Kuq”: Kush është Mislav Karoglan, njeriu që merr drejtimin e Partizanit
Reklamë e Sponsorizuar
Klubi i Partizanit ka zyrtarizuar emrin e trajnerit të ri që do të udhëheqë pankinën e skuadrës. Përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale, të kuqtë kanë prezantuar kroatin Mislav Karoglan, i njohur për publikun shqiptar edhe nga periudha e tij në krye të Ballkanit në Superligën e Kosovës.
Tekniku 44-vjeçar mbërrin në kryeqytet me një mision delikat dhe sfidues: të nxjerrë “Demat e Kuq” nga kriza aktuale dhe t'i kthejë te rezultatet pozitive. Ky emërim dëshmon gjithashtu parapëlqimin e presidentit Gaz Demi për trajnerë me eksperiencë në skuadrat e rajonit, ku rasti i fundit ishte rumuni Florin Bratu.
Dezbuti zyrtar i Karoglan në krye të Partizanit do të vijë këtë të diel, në orën 13:30, në sfidën kundër Vorës. Por cili është profili i vërtetë i trajnerit që i besuohet ky moment delikat? Karriera e tij ka nisur te Hajduku i Splitit, fillimisht si zëvendëstrajner dhe më pas në rolin kryesor, ku gjatë një periudhe 3-muajse regjistroi 8 fitore dhe 4 barazime, një ecuri mjaft pozitive.
Megjithatë, rruga e tij nuk ka munguar me ulje-ngritje. Te Istra, aventura e tij zgjati vetëm tri javë, pasi u shkarkua pas një bilanci prej një pike të vetme dhe një humbjeje të rëndë 6-0 ndaj Rijekës. Ai u rikthye sërish te Hajduku i Splitit në tetor të vitit 2023, duke qenë në garë për titull, por një rënie e performancës në katër javët e fundit solli ndërprerjen e dytë të bashkëpunimit.
Më pas, Karoglan drejtoi Sheriff Tiraspolin në Moldavi, ku pati një ecuri të qëndrueshme me 14 fitore dhe 6 barazime në 20 ndeshje, për të kaluar më pas te Ballkani një vit më parë, ku zëvendësoi trajnerin e larguar Orges Shehi dhe luftoi për titull deri pesë javë para fundit të kampionatit.
Tani, me një bagazh të pasur eksperiencash mbi supe, Karoglan përballet me provën e tij më të madhe te Partizani. Përveç anës taktike, detyra e tij kryesore do të jetë rivendosja e ekuilibrit psikologjik te një grup i demotivuar, duke nisur që nga testi i parë ndaj Vorës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: