Sport
Diplomaci ekonomike në Romë: Elvana Shala prezanton Kosovën në Forumin Botëror të Ushqimit, disa vende kërkojnë partneritet
Reklamë e Sponsorizuar
Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, po përfaqëson vendin në Forumin Botëror të Ushqimit që po zhvillohet në Romë të Italisë, pas ftesës zyrtare nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO). Gjatë këtij organizimi të rëndësishëm ndërkombëtar, ajo ka ndërmarrë një sërë takimesh me zyrtarë të lartë qeveritarë nga mbarë bota, me synimin kryesor për të rritur bashkëpunimin ekonomik, për të tërhequr investime dhe për të nxitur digjitalizimin.
Në kuadër të ngjarjes "Hand-in-Hand Initiative Investment Forum", Shala mori pjesë aktive në debatet ministrore mbi potencialin e teknologjisë dhe digjitalizimit në zhvillimin ekonomik, ku pati mundësinë të diskutojë me delegacione nga Amerika Latine rreth rëndësisë së inovacionit dhe partneriteteve globale.
Gjatë axhendës së saj në kryeqytetin italian, ajo u takua me personalitete të larta shtetërore, duke përfshirë ministren e Mjedisit, Pylltarisë dhe Bujqësisë së Nepalit, Gita Chaudry; zëvendësministrin e Tregtisë së Jashtme dhe Investimeve të Ekuadorit, Juan Carlos Sánchez; si dhe zëvendësministrin e Peshkimit dhe Akuakulturës të Venezuelës, José Gregorio Briceño Azuaje. Bisedimet u përqendruan te vendosja e urave të reja të komunikimit dhe hapat e përbashkët drejt partneritetit ekonomik me Kosovën.
Një tjetër pikë kyçe e vizitës ishte prania e saj në sesionin kushtuar planeve të investimeve agroushqimore të paraqitura nga shtete afrikane si Bregu i Fildishtë, Republika Demokratike e Kongos, Malavi, Mozambiku dhe Sierra Leone. Gjatë kësaj seance, Shala shtroi idenë e nxitjes së investimeve të ndërsjella dhe zhvillimit të lidhjeve të qëndrueshme ekonomike me vendin tonë.
Si rezultat i këtyre kontakteve, gatishmëri për bashkëpunim shprehën edhe ministri i Bujqësisë, Mjedisit dhe Peshkimit i Mozambikut, Roberto Mito Albino, si dhe ministri i Bujqësisë dhe Sigurisë Ushqimore i Republikës Demokratike të Kongos, Muhindo Nzangi Butondo. Palët ranë dakord që dialogu dhe shkëmbimet e mëtutjeshme të vazhdojnë përmes ndërmjetësimit të Ambasadës së Kosovës në Romë.
Pjesëmarrja e përfaqësueses kosovare në këtë samit dëshmon rëndësinë e promovimit të vendit në skenën globale, duke hapur dyer të reja për zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe garantimin e sigurisë ushqimore përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: