Sport
Ndryshim në stolin e të kuqve: Mislav Karoglan merr drejtimin e Partizanit për dy sezone
Reklamë e Sponsorizuar
Klubi i Partizanit ka zyrtarizuar emrin e trajnerit të ri, duke i besuar pankinës drejtimin e skuadrës teknikut kroat, Mislav Karoglan. Marrëveshja mes palëve është zyrtarizuar përmes një kontrate dyvjeçare.
Prezantimi zyrtar i 44-vjeçarit është bërë nga vetë presidenti i klubit, Gazment Demi, në mjediset e selisë së të kuqve. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, klubi bëri të ditur se Karoglan merr përsipër drejtimin e skuadrës, ndërsa sot pritet të drejtojë edhe seancën e parë stërvitore, teksa pjesa tjetër e stafit do t'i bashkohet grupit gjatë ditëve në vijim.
Për trajnerin kroat kjo do të jetë aventura e tij e parë në futbollin shqiptar, pasi më parë ka drejtuar skuadrën e Ballkanit në Superligën e Kosovës. Gjatë karrierës së tij, Karoglan ka drejtuar edhe klube të njohura si Hajduk Spliti dhe NK Istra në Kroaci, si dhe moldavët e Sheriff Tiraspolit në garat evropiane.
Emërimi i tij vjen pas largimit të rumunit Bratu nga stoli i Partizanit, vendim i pasuar pas humbjes në derbi ndaj Tiranës. Seria e rezultateve negative bëri që drejtuesit të ndërmarrin ndryshime në staf para se të mbyllej faze e parë e kampionatit, duke vijuar traditën e besimit te trajnerët e huaj.
Debutimi i Karoglan në krye të skuadrës do të ndodhë këtë të diel, në sfidën që Partizani do të luajë në transfertë kundër Vorës. Aktualisht, të kuqtë pozicionohen në vendin e parafundit të renditjes, duke numëruar vetëm 4 pikë pas gjashtë javëve të para të kampionatit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: