Politikë
Hamza zbulon takimin me Kurtin për çështjen e Hagës dhe kërkon veprime konkrete nga Shiroka-Pula
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se para dy ditësh ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti, ku fokusi kryesor ka qenë procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe ndërtimi i një strategjie të përshtatshme për fazën e Apelit.
“Unë dhe kryeministri Kurti jemi takuar sërish para dy ditësh, për çka e falënderoj dhe si rrjedhojë e diskutimeve dje është miratuar themelimi i grupit punues për strategjinë shtetërore e mbrojtjes në fazën e Apelit. Ky është një hap i mirë. Por, tani duhet të kalojmë nga vendimet te veprimet. Na duhet një strategji e mirëfilltë shtetërore, me përgjegjësi të qartë, afate konkrete dhe rezultate të matshme që udhëhiqen nga interesi afatgjatë i shtetit tonë”, u shpreh Hamza gjatë fjalës së tij në Kuvend.
Gjatë fjalimit, ai u ndal edhe tek pritshmëritë që ka ndaj presidentes Justina Shiroka-Pula sa i përket ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave të luftës çlirimtare.
“Fillimi i punës së presidentes Shiroka-Pula e hap një kapitull të ri institucional që duhet të shoqërohet me përgjegjësi, përkushtim dhe përfaqësim dinjitoz të shtetit tonë. Presim që mandati i saj të shoqërohet me angazhim të vazhdueshëm për procesin në Hagë, për respektimin e të drejtave të tyre dhe mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës sonë çlirimtare. Presim ta përdorë autoritetin e institucionit të Presidencës për të komunikuar me partnerët ndërkombëtarë për t’ua shpjeguar kontekstin historik atyre që e kanë harruar dhe për të siguruar që zëri i shtetit tonë të jetë i pranishëm, i argumentuar dhe i dëgjuar kudo”, shtoi kreu i PDK-së.
Sipas tij, beteja ligjore në sallën e gjyqit dhe mbrojtjes së pastërtisë së luftës në arenën ndërkombëtare janë dy dimensione të ndryshme, të cilat megjithatë duhet të avancojnë paralelisht.
“Shteti të sigurojë mbështetjen e nevojshme. Ta prodhojë një strategji konkrete”, theksoi ai.
Në përmbyllje, Hamza vuri theksin tek nevoja emergjente për shtimin e fondeve të dedikuara për mbrojtjen juridike të të akuzuarve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: