Kronikë
Goditet trafiku ndërkufitar: Sekuestrohen 70 kg marijuanë nga Saranda, pranga shtetasit grek
Reklamë e Sponsorizuar
Një operacion i mirëorganizuar nga forcat e antidrogës në Patra ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike dhe arrestimin e një personi. Aksioni është zhvilluar pas informacioneve të siguruara mbi një dërgesë që synonte të hynte ilegalisht në territorin grek.
Sipas të dhënave operacionale, agjentët kishin mbajtur nën vëzhgim një automjet të dyshuar, i cili është pikasur në momentin kur po ngarkohej me drogë në kufirin e gjelbër shqiptaro-grek. Dyshohet se lënda narkotike kishte ardhur nga zona e Sarandës dhe ishte transportuar në këmbë përmes vijës kufitare për t’u sistemuar më pas në makinën që po priste.
Pas ngarkimit, mjeti është ndjekur në distancë dhe është ndaluar përfundimisht nga policia në autostradën “Egnatia”, në segmentin rrugor Igumenicë-Janinë, pranë zonës së Tirias. Gjatë kontrollit, autoritetet gjetën 63 pako me gjithsej 70 kilogramë e 80 gramë marijuanë, duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit, një shtetas grek.
Ky operacion pason një valë të shtuar të trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë. Statistikat e 14 muajve të fundit tregojnë se policia greke ka konfiskuar rreth 1.3 ton marijuanë në zona të ndryshme si Janina, Igumenica, Kosturi, Follorina dhe Selaniku.
Ekspertët theksojnë se linja Sarandë-Igumenicë mbetet një nga pikat më problematike, pasi aty është regjistruar pothuajse gjysma e sasisë së drogës së kapur në këto zona. Në këtë itinerar, përveç transportit tokësor, autoritetet kanë ndërhyrë më parë edhe në raste të trafikut detar, ku është sekuestruar një skaf i ngarkuar me lëndë narkotike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: