Politikë
Sistemi energjetik i Kosovës pasurohet me Korporatën e Ruajtjes së Energjisë, Kurti: Hap i madh për sigurinë e vendit
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Korporatës së Ruajtjes së Energjisë (KRE), duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës energjetike të vendit.
Gjatë fjalës së tij, kreu i ekzekutivit theksoi se krahas ndërmarrjeve ekzistuese si KEK-u dhe Ibër-Lepenci që merren me prodhimin e rrymës, si dhe KOSTT-it që kujdeset për transmetimin, tash e tutje Kosova do të ketë edhe KRE-në, e cila do të shërbejë për akumulimin e energjisë elektrike për periudhat kur nevoja për të është më e lartë.
Duke bërë me dije se kjo korporatë është tërësisht në pronësi të shtetit, Kurti vuri theksin te rëndësia e ruajtjes dhe mirëmenaxhimit të kësaj pasurie të përbashkët qytetare, e cila duhet të vihet në funksion të rritjes së mirëqenies.
“Programi Kompakt ka vlerën e gjithmbarshme prej 236.7 milionë dollarë, me ç’rast 202 milionë dollarë janë grant nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, dhe 34.7 milionë janë kontribut nga Qeveria e Republikës. Është një investim i përbashkët në sigurinë energjetike dhe në zhvillimin afatgjatë në Kosovë”, u shpreh kryeministri Kurti.
Në mbyllje të fjalimit të tij, ai drejtoi një falënderim të veçantë për ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, stafin e dikasterit që ajo drejton, si dhe përfaqësuesit e MCC-së dhe MCA-Kosova për bashkëpunimin e frytshëm, duke përsëritur mirënjohjen e thellë ndaj qeverisë dhe popullit amerikan për mbështetjen e pandërprerë në rrugën e zhvillimit të Kosovës.
Në fjalën e tij të plotë para të pranishmëve, ku ishin të pranishëm ministrja Artane Rizvanolli, drejtori i MCC-së në Kosovë, Rinor Gjonbalaj, kryesuesi i Bordit, Bujar Haxha, si dhe drejtorja e MCA-Kosova, Florina Duli-Sefaj, kryeministri vuri në dukje se kjo ndërmarrje e re i shton sistemit kombëtar energjetik një kapacitet që deri më tani i ka munguar.
Kurti shtoi se KRE-ja do të ketë nën menaxhim bateritë në Istog me një fuqi prej 125 megavatësh dhe kapacitet ruajtës prej 250 megavat-orësh. Së bashku me sistemin e KOSTT-it në Ferizaj prej 90 megavat-orësh, Kosova do të disponojë gjithsej 340 megavat-orë kapacitete të reja publike për ruajtjen e energjisë.
Sipas tij, kjo do të mundësojë grumbullimin e energjisë gjatë orëve kur ka suficit, për ta rikthyer atë në qarkullim pikërisht atëherë kur kulmon kërkesa e konsumatorëve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: