Botë
Trazira dhe akte vandalizmi në Tiranë: Tetë orë përplasje të dhunshme, sulmohen institucionet dhe bizneset
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeqyteti u përfshi nga një valë e gjerë dhune dhe tensioni gjatë një proteste që zgjati për plot tetë orë, duke lënë pas dëme të konsiderueshme materiale dhe përleshje të vazhdueshme me forcat e rendit.
Turma e protestuesve u zhvendos nëpër pika kyçe të qytetit, duke vënë në shënjestër ndërtesa qeveritare, banka dhe biznese private, ndërsa policia u detyrua të përdorë gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për të shpërndarë turmën.
Tensionet nisën te Ministria e Arsimit, ku persona me fytyra të mbuluara shkatërruan kangjellat e trotuareve dhe gjuajtën me gurë e flakë drejt godinës. Përleshjet u shtrinë më pas në Rrugën e Durrësit, ku u dëmtuan disa dyqane dhe u shkatërrua e u dogj një bankë e nivelit të dytë.
Vala e protestës u zhvendos në Sheshin “Skënderbej”, ku protestuesit i vunë flakën kazanëve të mbeturinave dhe stolave publikë.
Një tjetër pikë kritike ishte Ministria e Ekonomisë. Pjesëmarrësit në protestë arritën të depërtonin në katin e parë të kësaj ministrie, duke thyer xhama, shkulur dyyer dhe nxjerrë orenditë jashtë.
Gjithashtu, u sulmua edhe fasada dhe xhamat e Ministrisë së Brendshme.
Më pas, protestuesit u ndanë në dy grupe, te Sheshi “Skënderbej” dhe te Ministria e Ekonomisë, për t'u bashkuar sërish në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku vazhduan sulmet ndaj ndërtesave përgjatë tij.
Dëme të rënda u shënuan edhe te Piramida e Tiranës, ku u dogjën dhe u shkatërruan pjesë të ambientit dhe xhamat, ndërsa u vu në shënjestër edhe një tjetër bankë private.
Tensioni vijoi drejt Kryeministrisë, ku u dogjën pemët pranë hyrjes anësore të këtij institucioni.
Protesta e dhunshme preku edhe ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ku pati tentativa për tu futur me forcë brenda. Më pas, turma shkatërroi dhe dogji bizneset e vendosura në katin e parë të dy godinave të njohura si “Kullat Binjake”.
Gjatë gjithë kësaj kohe prej tetë orësh, strukturat e rendit ndërhynë në vatrat kryesore të konfliktit me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të vënë nën kontroll situatën dhe për të zmbrapsur protestuesit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: