Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Botë

New York-u bashkon liderët shqiptarë dhe amerikanë: Mbahet me sukses Gala e Dytë Vjetore e AARC

Redaksia Lajmetereja • 26-09-2026 18:24
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
New York-u bashkon liderët shqiptarë dhe amerikanë: Mbahet me sukses Gala e Dytë Vjetore e AARC
Më 24 shtator 2026, ambientet e prestigjozit “Gotham Hall” në New York mirëpritën edicionin e dytë të Galës Vjetore të Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC). Kjo ngjarje madhështore u organizua në kuadër të javës së nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke bashkuar personalitete të shquara të politikës, diplomatë të huaj, figura të shquara të diasporës dhe miq të shumtë të komunitetit shqiptaro-amerikan. Synimi kryesor i kësaj mbrëmjeje gala ishte konsolidimi i partneritetit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare në Ballkanin Perëndimor, si dhe promovimi i unitetit dhe forcimi i zërit të përbashkët të shqiptarëve në Uashington. Ceremonia u hap me intonimin e himneve kombëtare të SHBA-së, Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Më pas, u zhvillua lutja e përbashkët e unitetit fetar, e cila u drejtua nga Atë Viktor Gjergji dhe Imam Edin Gjoni. Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Eli Rusi, Kryetar i Bordit të AARC-së. Ai shprehu mirënjohjen e tij për të pranishmit, sponsorët dhe vullnetarët, duke nënvizuar se misioni i organizatës mbetet ndërtimi i urave të bashkëpunimit mes qeverive, komuniteteve dhe brezave të ndryshëm. Pas shfaqjes së një videoje përmbledhëse për aktivitetin njëvjeçar të AARC-së, fjalën e mori Presidenti i organizatës, Martin Vulaj. Vulaj vuri inë dukje angazhimin e AARC-së në ngritjen e peshës politike të shqiptaro-amerikanëve në Uashington, mbështetjen e palëkundur për integrimin e Kosovës në NATO, adresimin e sfidave në Maqedoninë e Veriut, si dhe rivitalizimin e Caucus-it të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan. Në mesin e folësit e ftuar ishin Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e vuri theksin te rëndësia e integrimit europian si prioritet absolut; Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili foli mbi domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal; si dhe Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili vlerësoi kontributin e çmuar të diasporës dhe kërkoi një kohezion më të madh institucional. Momenti më prekës dhe kulmor i mbrëmjes ishte ndarja e çmimit “Kalorësi i Skënderbeut” për Gjeneralin Wesley K. Clark, ish-Komandant i Lartë i Forcave të Aleancës së NATO-s në Evropë (1997-2000), i cili ka udhëhequr Operacionin Allied Force që i dha fund konfliktit në Kosovë në vitin 1999. Gjenerali Clark u lartësua për guximin, udhëheqjen strategjike dhe kontributin e tij historik në mbrojtjen e lirisë dhe sigurisë së popullit të Kosovës. Ndërkohë, çmimi prestigjioz “Nënë Tereza” iu akordua Bruno Selimajt, një veprimtari të mirënjohur në New York, për dekada të tëra shërbimi të palodhur ndaj komunitetit. Selimaj, i lindur në Guci dhe i vendosur si emigrant në SHBA që nga viti 1971, njihet gjerësisht si një mbështetës afatgjatë i kulturës dhe nismave shqiptaro-amerikane. Mbrëmja u gjallërua nga performancat artistike të këngëtares Mariza Ikonomi, e cila u shoqërua në kitarë nga Faton Macula, si dhe nga shfaqja e një videoje speciale kushtuar filmit “Soldier of God – The Untold Story of Kastrioti”. Gjatë aktivitetit, Asambleisti Nader J. Sayegh i dorëzoi zyrtarisht Proklamatën e Asamblesë së Shtetit të New York-ut. Në fjalën përmbyllëse, drejtuesit Vulaj dhe Rusi falënderuan anëtarët e Bordit të Drejtorëve, duke theksuar se kjo mbrëmje gala dëshmoi qartë unitetin dhe përkushtimin për të garantuar një zë më autoritar shqiptaro-amerikan, si dhe për të mbështetur paqen e stabilitetin në rajon. Edicioni i AARC 2026 konfirmoi edhe një herë rolin kyç të diasporës si një urë e pathyeshme lidhëse mes trojeve shqiptare dhe Shteteve të Bashkuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar