Sport
Përballja e madhe në Vjenë, Foda dhe Vojvoda: Jemi plotësisht të gatshëm për Austrinë
Reklamë e Sponsorizuar
Kombëtarja e Kosovës është gati për sfidën e radhës në Ligën e Kombeve, ku do të matë forcat me Austrinë. Para këtij dueli të rëndësishëm, përzgjedhësi Franco Foda dhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda u paraqitën para mediave për të ndarë pritshmëritë e tyre rreth kësaj përballjeje.
Ndeshja mes austriakëve dhe dardanëve do të zhvillohet nesër në mbrëmje në Vjenë, duke shënuar kështu sfidën e dytë për këtë cikël garues. Kreu i stafit teknik të Kosovës u shpreh i ndërgjegjshëm për vështirësitë e këtij takimi, por theksoj se grupi është stërvitur maksimalisht për t'iu përgjigjur këtij rivali.
“E kemi analizuar lojën e tyre. I njoh disa lojtarë që kanë luajtur kur isha unë. E di çfarë na pret. Austria luan në mënyrë agresive, bën presion të lartë, prandaj duhet të bëjmë kundërpresion. Ne jemi të përgatitur, por në fushë do të vendosin detajet”, u shpreh Foda gjatë konferencës.
Strategu gjerman ritheksoi se rivalët mbeten favoritët kryesorë të grupit, megjithatë ai beson fuqimisht te potenciali i skuadrës së tij për të dalë me rezultat pozitiv nga ky udhëtim.
“Kam thënë edhe më herët se Austria është favorite e grupit. Është e mundur që gjithçka të ndodhë nesër. Ne fituam ndaj Irlandës dhe do të bëjmë më të mirën nesër. Të luajmë me agresivitet, si zakonisht. Kemi shumë tifozë kosovarë në stadium, kemi vetëbesim, kemi fituar ndeshjet e tjera si mysafir. Nesër do të bëjmë një lojë të mirë”, shtoi ai.
Në të njëjtën linjë qëndrimi ishte edhe mbrojtësi i krahut, Mërgim Vojvoda, i cili konfirmoi gatishmërinë e plotë të grupit për sfidën në tokën austriake, duke vënë në pah ambicjet afatgjata të Përfaqësueses.
“Ekipa është në gjendje të mirë dhe jemi gati për nesër”, deklaroi mbrojtësi kuqezi.
Duke folur për objektivat e Kosovës, Vojvoda nënvizoi se ëndrra e madhe mbetet pjesëmarrja në një kompeticion ndërkombëtar, ndërsa shprehu optimizëm për mundësitë që ofron ky edicion.
“Synimi gjithmonë ka qenë që të kualifikohemi në një turne të madh. Pak nga pak jemi afruar, por shpresoj që tani me Ligën e Kombeve të kemi një shans më shumë në play-off. Austria ka eksperiencë dhe favorit, por edhe ne i kemi shanset tona”, përfundoi Vojvoda.
Kujtojmë se ndeshja ndërmjet Austrisë dhe Kosovës është parashikuar të nisë në orën 18:00.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: