Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Arsim Bajrami alarmohet për shkeljet në Dhomat e Specializuara: U premtua drejtësi evropiane, po shohim procese të mbyllura

Redaksia Lajmetereja • 14-10-2026 10:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Arsim Bajrami alarmohet për shkeljet në Dhomat e Specializuara: U premtua drejtësi evropiane, po shohim procese të mbyllura
Eksperti i së drejtës kushtetuese dhe njëkohësisht ndër hartuesit kryesorë të Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami, ka dhënë një vlerësim kritik lidhur me gjetjet e raportit të Avokatit të Popullit, duke ngritur alarmin për ngecjet në respektimin e të drejtave të njeriut dhe garancive për një gjykim të drejtë brenda Dhomave të Specializuara. "E vlerësoj shumë lart këtë raport të Avokatit të Popullit, ku ai në kontinuitet ka shprehur shqetësime për këtë proces. Po flas këtu në cilësinë e profesorit të së drejtës kushtetuese, njëri prej hartuesve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe fillimisht dua të theksoj se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka promovuar standardet më të larta për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut. Pra, kapitulli 2 dhe 3 i Kushtetutës së Kosovës do të trajtojë një nga modelet më të mira evropiane se si zbatohet Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Dhe nëse Republika e Kosovës ka promovuar këto standarde kaq të larta, ka të drejtë legitime që të kërkojë respektimin e tyre ndaj shtetasve të Kosovës", u shpreh Bajrami. Më tej, ai kujtoi se themelimi i kësaj gjykate përfaqësoi një hap tejet të ndjeshëm dhe të vështirë për shtetin, duke shtuar se delegimi i sovranitetit u bë me bindjen e plotë se institucioni i ri do të mishëronte vlerat më superiore të drejtësisë evropiane. "Në radhë të parë dua t'i adresohem këtu mysafirëve ndërkombëtarë, përfaqësuesve të Këshillit të Evropës, përfaqësuesve të zyrave diplomatike, për të treguar se themelimi i Dhomave të Specializuara ka qenë një moment shumë delikat për Republikën e Kosovës, sepse ka filluar pas konfirmimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe opinionit këshilldhënës me të cilën është konfirmuar se procesi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka qenë në pajtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Dhe ky proces është zhvilluar me mirëbesim. Pra, Republika e Kosovës ka marrë një vendim shumë të rëndë që në emër të sovranitetit sovran të delegojë sovranitetin e vet te një gjykatë e specializuar me besimin e popullit të Kosovës që ajo do të promovojë standardet më të larta të drejtësisë evropiane. Për shkak se edhe vetë Këshilli i Evropës, por edhe vetë Bashkimi Evropian është i ndërtuar mbi bazat e sundimit të ligjit", theksoi ai. Sipas Bajramit, pas një dekade funksionimi, në vend që të dëshmohej një standard model i drejtësisë, opinioni publik, qytetarët dhe mekanizmat shtetërorë po përballen me shqetësime serioze rreth trajtimit të të drejtave themelore. "Dhe, në vend që ne të shohim këtë vit tani po bëhen 10 vite një proces model të promovimit të standardeve të larta të Bashkimit Evropian, me të drejtë populli i Kosovës, qytetarët e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës, Avokati i Popullit po shprehin shqetësimin legjitim për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në një proces i cili është premtuar se do të jetë proces i drejtë, një proces që do të arsyetonte komplet pritjet e qytetarëve evropianë e taksapaguesve evropianë dhe që do të promovonte standardet më të larta", tha ai. Në përmbyllje, profesori drejtoi kritika të forta ndaj mbarëvajtjes së seancave gjyqësore në Hagë, duke evidentuar praninë e shkeljeve të rënda materiale e procedurale që bien ndesh me konventat ndërkombëtare. "Në vend të kësaj, këtë vit kemi qenë dëshmitarë të një procesi të mbyllur, me përplot shkelje, shkelje materiale, shkelje procedurale, jo vetëm të legjislacionit të një shteti sovran siç është Republika e Kosovës, por edhe të standardeve të Bashkimit Evropian, në radhë të parë Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, standardeve ndërkombëtare për gjykim të drejtë", përfundoi Bajrami.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar