Politikë
Kanosja e gazetarit Lirim Mehmetaj: Prokuroria kërkon paraburgim për ish-deputetin Gani Geci
Reklamë e Sponsorizuar
Prokuroria Themelore në Prishtinë i ka kërkuar Gjykatës Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-deputetit Gani Geci, i cili dyshohet për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj. Sipas dokumenteve hetimore, incidenti ka ndodhur brenda hapësirave të redaksisë së portalit “Vox Kosova”.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja daton më 11 tetor 2026, rreth orës 19:27, në ambientet e portalit “VOX Kosova” në kryeqytet. Motiv i këtij konflikti dyshohet të ketë qenë një shkrim i publikuar nga gazetari Mehmetaj në rrjetin social Facebook, që i adresohej deputetit Fatos Geci. Pasi gazetari kishte kundërshtuar kërkesën për të fshirë ose modifikuar përmbajtjen, i dyshuari dyshohet se e ka kërcënuar drejtpërdrejt me fjalët: “Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra“.
Në të njëjtën kërkesë bëhet e ditur se kërcënimet janë përsëritur edhe përmes frazave të tjera intimiduese, si: “Pash një Zot, mos na merr në qafë, ndërro postimin se na duhet me u vra“, duke rritur presionin ndaj të dëmtuarit për të ndryshuar qëndrimin e tij publik.
Më tej, situata ka eskaluar edhe ditën e nesërme, më 12 tetor 2016, gjatë kohës kur gazetari Mehmetaj po merrte pjesë si panelist në emisionin “Debat Plus”. Gani Geci thuhet se është afruar pranë objektit të televizionit dhe ka transmetuar një video live në platformën Tik-Tok, për t'i bërë me dije praninë e tij, duke e pritur atë për rreth dy orë derisa të përfundonte transmetimin, veprime këto që i kanë shkaktuar gazetarit ankth, frikë dhe pasiguri.
Për këto veprime, Gani Geci dyshohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Lidhur me kërkesën për paraburgim, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar se seanca dëgjimore do të zhvillohet nga ora 13:30, nën udhëheqjen e gjyqtarit të procedurës paraprake, Albert Haliti.
Kujtojmë se Prokuroria kishte njoftuar më parë për ndalimin e Gecit për 48 orë, ndërsa vetë gazetari Lirim Mehmetaj, gjatë paraqitjes së tij televizive në “Debat Plus”, kishte shpjeguar se presioni kishte nisur për shkak të një postimi lidhur me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, gjë që e kishte detyruar atë që rastin ta denonconte zyrtarisht në organet e rendit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: