Aktuale
Valë e re revolte: Bëhet thirrje për mbështetjen e protestës së tretë të madhe studentore në Shqipëri
Reklamë e Sponsorizuar
Më 13 tetor 2026 ka nisur protesta e tretë e madhe e studentëve, duke pasuar lëvizjet e bujshme historike të dhjetorit 1990 dhe të vitit 2018. Të tria këto tubime ndajnë të njëjtat kauza themelore: thirrjen “Poshtë komunizmi”, kërkesën për demokraci të vërtetë dhe idealin për “Shqipërinë etnike”. Kësaj i shtohen edhe sfidat e akumuluara përgjatë 36 viteve të tranzicionit, si ngritja e një shteti ligjor me standarde moderne, lufta e pakompromis kundër korrupsionit dhe kundërshtimi i pazareve dhe tradhtive ndaj territoreve dhe interesave mbarëkombëtare. Kjo dëshmon se në Shqipëri komunikuizmi i vjetër nuk është zhdukur përfundimisht, por është shndërruar në një regjim bastard neokomunist. Diktatura kriminale e dikurshme ka ardhur si një trashëgimi e keqe e korrupsionit, vjedhjes dhe tradhtisë, ku në krye ka triumfuar sërish sistemi i konvertuar në një kapitalizëm grabitqar.
Qytetarë shqiptarë, studentët ndodhen në sheshe duke protestuar dhe kërkohet mbështetja jonë e fuqishme për ta. Ashtu siç kam mbështetur protestat e tyre tetë vite më parë, në vitin 2018, po i jap mbështetjen time të palëkundur edhe sot, me të njëjtat mesazhe dhe parime.
Në një deklaratë të lëshuar nga Durrësi më 8 dhjetor 2018, drejtuar opinionit publik shqiptar, citohej një fragment nga letra për Raninë Shqiptare e datës 25 prill 2009, e botuar në librin “TRIUMFI I KOMBIT”:
“Brezi i Ri realizon aspiratat e vërteta patriotike, morale, fisnike dhe intelektuale, sepse ai është i lirë, i pastër dhe premtues për ndryshimin dhe për emancipimin… brez i cili është i përgatitur mendërisht e fizikisht për të zhvilluar një demokraci reale, të gjallë dhe dinamike… Vetëm ai është i aftë të bëjë modelin e ri demokratik, duke gërshetuar pozitivizmin tradicional me racionalizmin modern dhe që përjashton çdo përvojë totalitare dhe autokratike për të ndërtuar sistemin demokratik përparimtar bashkëkohor”.
Lëvizja e madhe studentore demokratiko-kombëtare e vitit 1990, e njohur ndryshe si “Lëvizja e Dhjetorit”, arriti të shembte diktaturën komuniste dhe regjimin e së keqes në vend. Megjithatë, pavarësisht se kanë kaluar dekada nga ajo periudhë, idealet e rinisë shqiptare u tradhtuan vazhdimisht nga kasta politike e vendit.
Klasa politike e pasardhëse e tranzicionit përvetësoi frytet e atij revolucioni, duke e keqpërdorur dhe shfrytëzuar për interesa të ngushta pushteti, çka përbën një tradhti të rëndë ndaj studentëve dhe gjithë shoqërisë që mbështeti dikur atë nismë historike.
Edhe sot, brezi i ri studentor ngrihet në protestë me të njëjtën thirrje dhe aspiratë të mbartur dekada më parë: “E duam Shqipërinë si Evropa”.
Kjo mbetet kauza kryesore, pasi prej vitesh politika e mbrapshtë shqiptare e mban vendin peng dhe jashtë dyerve të Bashkimit Evropian. Kjo vjen si pasojë e sundimit nga e keqja, ku një nga mëkatet më të mëdha të elitës politike është se ajo nuk është vetëm e zhytur në krim, korrupsion dhe vjedhje, por shfaqet gjithashtu si armike e dijes dhe intelektualizmit të vërtetë. Kundër këtij mizerabiliteti antihuman dhe antidije po ngrihet truri i kombit, rinia patriotike dhe studentore.
Përballë një realiteti të dështuar dhe të korruptuar, të prodhuar nga tradhtitë dhe pabesitë e njëpasnjëshme, studentët refuzojnë me të drejtë të dialogojnë me çdo krah të politikës aktuale, që mbajnë përgjegjësinë kryesore për këtë gjendje të rëndë kombëtare.
Kjo lëvizje mbarëstudentore ka siguruar mbështetje masive nga e gjithë shoqëria, sepse rinia përbën vazhdimësinë e kombit, lidhjen mes brezave dhe garancinë më të sigurt për të ardhmen.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: