Politikë
Hoti shpreh dyshime për Projektligjin e Speciales: A do të ofrojë mbrojtjen e duhur për ish-krerët e UÇK-së?
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka vënë në pikëpyetje efektivitetin e projektligjit të propozuar për Gjykatën Speciale, duke deklaruar se mbetet skeptik nëse ai do të sjellë ndryshimet e duhura për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Gjatë një konference për media pas mbledhjes së Qeverisë, ku u mor vendimi për themelimin e grupit punues për strategjinë shtetërore lidhur me Apelin për katërshen e UÇK-së, Hoti theksoi se ekzekutivi shpreson që subjekti politik që ka sponsorizuar këtë nismë ligjore të ketë bashkëpunuar ngushtë me palët e interesit dhe ekipet e Apelit.
“Ne nuk jemi shumë të bindur për këtë projektligj, por po shpresojmë që partia që e ka sponsorizuar projektligjin është konsultuar me akterët tjerë dhe me Apelin. Nuk jam shumë i bindur për projektligjin që do të bëjë ndryshimet e nevojshme që të kenë një mbrojtje të duhur udhëheqësit tanë të UÇK-së që janë në Hagë”, u shpreh Hoti.
Duke komentuar reagimet e Bashkimit Evropian, ministri vlerësoi se ato kanë qenë plotësisht të pritshme, duke kujtuar se Kushtetuta e Kosovës kërkon detyrimisht konsultime paraprake me BE-në për çfarëdo ndryshimi të tillë ligjor, proces ky që sipas tij nuk është respektuar në rastin e këtij projektligji të përgatitur brenda pak ditësh.
Në këtë linjë, ai njoftoi se Qeveria është e angazhuar në krijimin e një strategjie të veçantë që do t'i kushtohet posaçërisht procedurave të Apelit, ndërsa bëri të ditur se në krye të këtij grupi punues do të jetë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: