Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Aspirata për Bondsteel-in amerikan, ekspertët e sigurisë shpjegojnë pse kjo lëvizje garanton paqe afatgjatë në rajon

Redaksia Lajmetereja • 26-09-2026 17:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Aspirata për Bondsteel-in amerikan, ekspertët e sigurisë shpjegojnë pse kjo lëvizje garanton paqe afatgjatë në rajon
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka rikonfirmuar thirrjen e tij që Kampi “Bondsteel” të shndërrohet në një bazë të përhershme ushtarake amerikane, si një hap thelbësor për të garantuar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Këtë kërkesë kreu i ekzekutivit e ngriti gjatë një takimi në New York me kongresistin amerikan George Latimer, ku u diskutuan gjithashtu sfidat e sigurisë, partneriteti i ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe rruga e vendit drejt anëtarësimit në NATO. Kurti e vlerësoi Washingtonin si aleatin kryesor të Prishtinës, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që gëzon në Kongresin amerikan. “Ritheksova qëndrimin tonë që Kampi ‘Bondsteel’ të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate në rajon”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Kurti. Nga ana e tij, eksperti i sigurisë Arben Dashevci e ka cilësuar këtë nismë si një arritje madhore për shtetin e Kosovës. Ai ka theksuar se një prani e tillë e përhershme do të shërbente si një mburojë e fuqishme kundër çdo kërcënimi, duke veçuar qasjen destruktive të Serbisë ndaj vendit tonë. “Që Bondsteel të bëhet bazë e përhershme ushtarake amerikane, duke diskutuar me kongresistin George Latimer me shumë kongresistë dhe senatorë nga SHBA por edhe aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO është kërkesë e kahmotshme dhe në kontinuitet nga ana e Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës është aleat strategjik dhe partner i SHBA-së në çdo aspekt dhe të kemi një bazë të përhershme do të thotë siguri e plotë për ne kundrejt çdo sfide të sigurisë që mund të na paraqitet”, deklaroi Dashevci, duke shtuar se ky kamp mbetet ombrellë e sigurisë për shtetin. Ndërkohë, profesor Muhamet Racaj vlerëson se një bazë e përhershme amerikane do të përbënte një shtyllë strategjike për parandalimin e çfarëdo skenari destabilizues në rajon. Megjithatë, sipas tij, arkitektura e sigurisë së vendit duhet të jetë gjithëpërfshirëse. “Po. Shndërrimi i ‘Bondsteel’-it në bazë të përhershme amerikane do të kishte rëndësi të madhe strategjike për Kosovën dhe rajonin. Prania e përhershme e SHBA-së do të forconte parandalimin dhe do të dërgonte një mesazh të qartë ndaj çdo përpjekjeje për destabilizimin e Kosovës. Megjithatë, siguria e Kosovës nuk duhet të mbështetet vetëm në një bazë ushtarake. Ajo duhet të ndërtohet mbi praninë e KFOR-it, partneritetin strategjik me SHBA-në, forcimin e FSK-së dhe integrimin euroatlantik”, përfundoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar