Politikë
Aspirata për Bondsteel-in amerikan, ekspertët e sigurisë shpjegojnë pse kjo lëvizje garanton paqe afatgjatë në rajon
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka rikonfirmuar thirrjen e tij që Kampi “Bondsteel” të shndërrohet në një bazë të përhershme ushtarake amerikane, si një hap thelbësor për të garantuar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Këtë kërkesë kreu i ekzekutivit e ngriti gjatë një takimi në New York me kongresistin amerikan George Latimer, ku u diskutuan gjithashtu sfidat e sigurisë, partneriteti i ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe rruga e vendit drejt anëtarësimit në NATO. Kurti e vlerësoi Washingtonin si aleatin kryesor të Prishtinës, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që gëzon në Kongresin amerikan.
“Ritheksova qëndrimin tonë që Kampi ‘Bondsteel’ të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate në rajon”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Kurti.
Nga ana e tij, eksperti i sigurisë Arben Dashevci e ka cilësuar këtë nismë si një arritje madhore për shtetin e Kosovës. Ai ka theksuar se një prani e tillë e përhershme do të shërbente si një mburojë e fuqishme kundër çdo kërcënimi, duke veçuar qasjen destruktive të Serbisë ndaj vendit tonë.
“Që Bondsteel të bëhet bazë e përhershme ushtarake amerikane, duke diskutuar me kongresistin George Latimer me shumë kongresistë dhe senatorë nga SHBA por edhe aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO është kërkesë e kahmotshme dhe në kontinuitet nga ana e Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës është aleat strategjik dhe partner i SHBA-së në çdo aspekt dhe të kemi një bazë të përhershme do të thotë siguri e plotë për ne kundrejt çdo sfide të sigurisë që mund të na paraqitet”, deklaroi Dashevci, duke shtuar se ky kamp mbetet ombrellë e sigurisë për shtetin.
Ndërkohë, profesor Muhamet Racaj vlerëson se një bazë e përhershme amerikane do të përbënte një shtyllë strategjike për parandalimin e çfarëdo skenari destabilizues në rajon. Megjithatë, sipas tij, arkitektura e sigurisë së vendit duhet të jetë gjithëpërfshirëse.
“Po. Shndërrimi i ‘Bondsteel’-it në bazë të përhershme amerikane do të kishte rëndësi të madhe strategjike për Kosovën dhe rajonin. Prania e përhershme e SHBA-së do të forconte parandalimin dhe do të dërgonte një mesazh të qartë ndaj çdo përpjekjeje për destabilizimin e Kosovës. Megjithatë, siguria e Kosovës nuk duhet të mbështetet vetëm në një bazë ushtarake. Ajo duhet të ndërtohet mbi praninë e KFOR-it, partneritetin strategjik me SHBA-në, forcimin e FSK-së dhe integrimin euroatlantik”, përfundoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: