Hapja e listave/ Eksperiment i madh, mundësi për vota të pavlefshme

0
153

Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, theksoi sot se “hapja e listave është një eksperiment i madh social sepse ne nuk e dimë se si do të sillen zgjedhësit. Procesi i listave të hapura, sidomos nëse ka më shumë se një zgjedhje, krijon kaos në numërim dhe precedencë të lartë për vota të pavlefshme , pra kemi konfuzion për zgjedhësit”.

Në një intervistë televizive Gjiknuri tha se “ky është një eksperiment social sepse stadi i shqiptarëve sot kërkon një lloj hapje të listave dhe mendojnë se kjo do të sjellë përmirësim në cilësinë e përfaqësimit, pra mund të jetë një element vetëkorrigjues që mund të bëjnë partitë politike”.

“Partia paraqet një ofertë politike, ku ka bërë një renditje, natyrshëm që partitë janë institucione politike, nuk janë organizata që janë krijuar të çastit, vetëm për zgjedhje. Drejtimi partisë del me një ekip që nuk mund të jetë perfekt, mund të ketë edhe probleme, por është pikërisht hapja e listave 100%, siç ne e kemi shkruar, që bën të mundur rirenditjen në rast se një kandidat ka peshë elektorale”, – nënvizoi Gjiknuri.

Më tej Gjiknuri u shpreh se “hapje do të thotë e drejta e zgjedhësit për të zgjedhur, për të vënë votën tek një nga kandidatët, por Kushtetuta e Shqipërisë ka parashikuar që ata janë individë të propozuar nga partitë politike dhe fryma e Kushtetutës thotë që zgjedhësi voton edhe për partinë edhe për kandidatin. Pra edhe për ekipin politik, por edhe për preferencë për një kandidat të veçantë”.

“Që ti të demonstrosh se ke peshë elektorale, duhet të marrësh vota siç tradicionalisht merr partia për shkak të një mandati, pasi ti po konkurron edhe me dividendin politik me siglën time. Nëse ti demonstron se ke vota përtej siglës, dalja me siglën e PS-së, atëherë përdoret kjo formulë dhe këtë e kalojnë dy apo tre persona, por ne nuk kemi pse t’i paragjykojmë”, – theksoi ai.

Gjiknuri tha se “partia shkon me një renditje, që në fillim vendos më të mirët. Partitë zgjedhin njerëzit që kanë vota ky është parimi. Nga ana tjetër, partia ndëshkohet nëse shkon me një listë të keqe”./k.s./z.a

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here